KKD takim me kreun e KQZ Ilirjan Celibashi: Vota e Diasporës është prioritet

Këshilli Koordinues i Diasporës ka realizuar një takim me Komisionerin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për të diskutuar lidhur me çështjen e votës së Diasporës.

Kryetari i KKD-së Mark Gjonaj, pasi falenderoi Kryetarin e KQZ për kohën dhe përkushtimin që po tregon ndaj kësaj çështje tha se Këshilli Koordinues i Diasporës e shikon votën e Diasporës si një pikë shumë të rëndësishme në detyrën që ju keni marrë përsipër. ‘’Thesari i vërtetë i Shqipërisë janë vetë shqiptarët, kudo që jetojnë në botë, ndaj dhe vota e Diasporës është shumë e rëndësishme. Për këtë arsye do donim të dinin se në cilën pikë kanë arritur zhvillimet në lidhje me votën e Diasporës”, tha Gjonaj.

Kreu i KQZ-së Ilirian Celibashi theksoi se vota e Diasporës është në krye të prioriteteve të agjendës së tij mjaft të ngjeshur. “Edhe pse koha ka qenë shumë e shkurtër për të organizuar këtë takim, me gjithë agjendën e ngjeshur e vlerësova si një takim shumë të rëndësishëm, sepse kjo çështje është mjaft e rëndësishme. Edhe kur kam qenë jashtë kësaj zyre kjo çështje ka pasur gjithmonë vëmendjen time. Jo vetëm e kam mirëpritur të gjithë punën e KKD, por edhe vetë jam shumë i ndjeshëm ndaj kësaj çështje. Sepse si asnjëherë tjetër është sjell në vëmendjen e politikës shqiptare e votës së Diasporës. Edhe ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko meriton lavdërime, sepse podiumi që ai ka përdorur i ka dhënë zë kësaj çështje. Personalisht kam gjithë angazhimin që çështja e votës së Diasporës të ketë prioritet absolut në agjendën time si Komisioner dhe në agjendën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sigurisht nuk është një çështje shumë e lehtë duke llogaritur kohën e mbetur. Unë nuk jam këtu për t’u justifikuar, por për t’u munduar të bëj çdo gjë brenda kohës që ka mbetur. Unë si Komisioner jam duke përgatitur drafte për ta formuar këtë proces në përputhje me ligjin. Besoj në një periudhë dy javore do arrij të miratoj aktet përkatëse për të këtë çështje. Ende nuk kam detaje teknike se si kjo çështje do të qaset, por dua t’ju siguroj që është në krye të agjendës time. Do të doja të ishte dhe një arritje profesionale e imja që për herë të parë emigrantët të votojnë nga aty ku jetojnë.”

Anëtarët e tjerë të KKD gjithashtu ndanë më kreun e KQZ pyetjet dhe shqetësimet e tyte ne lidhje me procesin e realizimit të votës së Diasporës.

Anila Hyka Smorgrav, përfaqësuese në KKD e komunitetit shqiptar në Francë kërkoi nga KQZ informacioni lidhur me aktet ligjore që po përgatit ky institucion lidhur me miratimin e kodit zgjedhor, si dhe përgatitjen e listave të votuesve shqiptar jashtë atdheut.

Celibashi sqaroi se lista e emigrantëve do të ketë një vëmendje të veçantë: “Ndryshimet e ligjit nuk mendoj se do të ndikojnë në procesin e votës së Diasporës. Ne jemi në proces pune dhe lidhur me listën e zgjedhëse dhe Komisioni do të përcaktojë se si do të procedohet me listën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Publikimi i listës së zgjedhësve për momentin ka të bëjë me gjithë shqiptarët ne tërësi, ndërsa lista e emigrantëve do të ketë një vëmendje të veçantë.”

Anëtari i KKD, përfaqësues i komunitetit shqiptar në Zvicër Sokrat Sinaj i kërkoi Komisionerit Celibashi që të ketë një përfaqësues të KKD të jetë i pranishëm në të gjithë procesin zgjedhor: “Ju uroj suksese në këtë detyrë historike, duke u nisur nga konteksti në të cilin ndodhet vendi ynë. Ju falenderoj për angazhimin tuaj duke e konsideruar problemin e votës së Diasporës si një nga detyrat kryesore në agjendë. Si e shikoni ju ndihmën që duhet të japi Diaspora dhe KKD në lidhje me votën e Diasporës? Kërkesa ime është një përfaqësues i joni që është profesionit i fushës të jetë prezent gjatë gjithë procesit, që nga përgatitja e dokumentacionit deri në procesin final të zgjedhjeve. Cila është ndihma që ne duhet të japim konkretisht.”

Ndërsa Celibashi u shpreh i hapur për prezencën e një anëtari të KKD në procesin zgjedhor, madje theksoi se një anëtar, i cili është gjithashtu ekspert i fushës do të ishte një ndihmë e madhe. “Për ne do ishte vërtet një ndihmë që një ose dy prej jush të jetë realisht i angazhuar në këtë proces, një person që ka dije për këtë proces dhe të jetë një ndihmë e vlefshme për ne. Unë dua të tregoj se dëshira dhe vullneti ynë është maksimal për të përfshirë këtë person në mënyrë tërësisht transparente. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me KKD”

Anëtari i KKD Adrian Lekaj shprehu dëshirën për një komunikim të vazhdueshëm më KQZ “Në cilën mënyrë do të komunikojmë në me ju për të qenë vazhdimisht të informuar? Si dhe çfarë hapash mund të marrim ne si KKD për t’ju mbështetur juve si KQZ?”

Anëtarët e tjerë të KKD të pranishëm në mbledhje, Gazmend Kapllani, Brikena Muharremi, Adriana Bejko, Ardian Radovicka, Lazim Destani u ndalën në shqetësime të tjera si shembulli që do të merret për realizimin e procesit të votimit, shkëmbimine përvojës me institucione homologe ne Kosove, duke qëne se ata e përfshinë Diasporën në zgjedhjet e fundit etj.

Në fund të takimit virtual Mark Gjonaj falenderoi të gjithë të pranishmit, si dhe kryetarin e KQZ për kohën kushtuar çështjes së votës së Diasporës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *