KKD / 13 Nëntor takim virtual me z. Peter Beyer

Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD) zhvilluan me 13 nëntor 2020 një takim virtual me deputetin e Bundestagut Gjerman, Z. Peter Beyer i cili mbulon çështjet për Balkanin dhe
veçanërisht Kosovën. Takimi u organizua dhe moderua nga  Z. Lazim Destani, anëtar i KKD -se  dhe Kryetar Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare. Mbi punën dhe misionin e KKD-së foli  Kryetari i saj Z. Mark Gjonaj. Ai e falenderoi deputetin gjerman për kontributin, qasjet e tij serioze dhe dashamirëse ndaj Kosovës dhe Ballkanit si edhe për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe i jep shqiptarëve dhe shteteve te tyre ne Ballkan për afrimin dhe lidhjen sa me të ngushtë me familjen Europiane, pjesëtare të së cilës shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë përherë.

Z. Gjonaj vuri theksin tek roli i shumanshëm që luajnë tashmë Shqiptarët që jetojnë dhe punojnë prej vitesh e brezash në Gjermani, si percues të vlerave më të mira shqiptare ne Gjermani dhe Europe, njëkohësisht dhe përcjellës në trojet shqiptare në Ballkan të një mendësie dinamike dhe të përvojës së fituar në Gjermani.  Anëtarët e tjerë të KKD-së përmes pyetjeve dhe komenteve shprehën shqetësimet e tyre për ngadalësinë e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën si dhe vonesat në nisjen e procesit të integrimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ata nënvizuar situatën paradoksale që jetojnë shqiptarët në lidhje me Bashkimin Europian në vendet e të cilit jetojnë dhe punojnë tashmë mbi një milion shqiptarë të cilët japin
çdo ditë kontributin e tyre në të gjitha fushat e jetës dhe ekonomisë së këtyre vendeve. Shqiptarët kanë një lidhje të hershme dhe jetike me familjen Europiane dhe anëtarët e KKD-se nënvizuan se është e papranueshme përpjekja e disa qeverive Europiane që të stigmatizojnë bashkatdhetarët dhe vendet tona duke i asociuar ata me grupe te ndryshme kriminale dhe mafioze.

Ata theksuan se njohin faktin që vendet tona në Ballkan ballafaqohen me fenomene shumë serioze si mungesa e shtetit të së drejtës, qeveri dhe qeveritarë të korruptuar, krimin e organizuar, por shprehën bindjen e tyre se këto probleme, shoqëritë tona do jenë më të motivuara t’i zgjidhin më me guxim duke qene anëtare të familjes Europiane, ashtu siç ka ndodhur edhe me shtetet e tjera të Ballkanit që tashme janë anëtare të Bashkimit Europian, si Greqia, Bullgaria, Rumania. Ata shprehën shqetësimin e tyre se disa qeveri të Bashkimit Europian për arsye të lojërave të ndryshme politike në vendet e tyre, kërkojnë t’i lenë shqiptarët në Ballkan në një “no man’s land” dhe se diçka e tillë është jo vetëm e padrejtë por edhe e rrezikshme.

Në fjalën e tij z. Beyer u përqendruar mbi temat kryesore që prekin Ballkanin lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, zgjerimin e BE-se me vendet e Ballkanit perëndimor si dhe rolin e Gjermanisë në këtë proces. Si njohës i mirë i çështjes së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor ai rikonfirmoi vendosmërinë e tij dhe të Gjermanisë për të mbështetur këto çështje në Bashkimin Europian, si dhe përpjekjet e Gjermanisë për ti bërë dy vendet kandidate Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pjesë të Konferencës së ardhshme ndërqeveritare. Ai përmendi me kënaqësi shembuj mjaft pozitive dhe të suksesshëm të shqiptareve në shoqërinë gjermane.  Në rastin e Kosovës ai vuri theksin mbi faktin që vendi i ka plotësuar të gjitha kriteret te vendosura nga BE-ja për liberalizimin e vizave. Fatkeqësisht situata politike konfliktuale këto kohët e fundit në vend, u jep argumente të gjithë atyre që duan që Kosova të qëndrojë larg Bashkimit Europian.

Ndërsa lidhur me zgjerimin e BE me vende të reja anëtare, ai theksoi që shumë vende të BE-së janë skeptike ndaj zgjerimit, veçanërisht konsiderojnë Shqipërinë që nuk është gati me reformat dhe kriteret e vëna nga BE si:
∙       respektimi i të drejtave të njeriut,
∙       ulja e korrupsionit
∙       lufta ndaj krimit të organizuar.

Megjithatë ai ishte i mendimit që reforma të tilla do të ishin më efikase në këto vende duke i pasur ato të integruara në BE ku dhe mekanizmat e kontrollit janë me të larta. Z. Beyer ju drejtua KKD-së që të mos reshti së kërkuari qeverisë dhe politikanëve masa dhe fakte konkrete në luftën kundër krimit të organizuar. Përndryshe, pa luftën efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit sistemik, Shqipëria do ta ketë shumë  të vështirë të bindë vendet anëtare si Franca dhe Holanda te cilat mbeten skeptike për hapjen e
negociatave. Gjermania mori Presidencën e BE-së në korrik 2020 dhe ajo mbaron në fund të këtij viti. Për këtë arsye- theksoi Z. Beyer – po bëjmë çfarë është e mundur që para përfundimit të mandatit tonë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të ftohen në Konferencën e ardhshme ndërqeveritare të BE-së, e cila shënon dhe hapin e ri në procesin e integrimit për të dyja vendet. Grupi i eurodeputetëve gjermane po bën përpjekje të shumta që Shqipëria të mos përjashtohet nga kjo pjesëmarrje. Z. Beyer e siguroi KKD-në që jo vetëm do të vazhdojë t’a mbështëse atë në misionin e saj fisnik në shërbim të çështjes së Kosovës dhe integrimin e vendeve tona në BE, por dhe në përfshirjen më të madhe të Diasporës për të pasur një impakt pozitiv në vendet ku jeton si dhe në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Anëtarët e KKD-se nga ana e tyre shprehën mirënjohjen e tyre për Z. Beyer duke lënë të hapur mundësinë e një takimi të ri me Z. Beyer në muajt që vijnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *