Mbledhje konsultuese e KKD-së

U zhvillua mbledhja e parë konsultuese e Këshillit Koordinues të Diasporës në Dyseldorf, Gjermani, një takim ky i mundësuar nga Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, z. Lazim Destani.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Majko foli për rëndësinë që ka pasur formimi i Këshillit Koordinues të Diasporës, si një strukturë, e cila funksion për herë të parë në shtetin shqiptar. Kjo strukturë është ngritur për krijimin e një bashkëpunimi më të afërt mes institucioneve shqiptare dhe komuniteteve në Diasporë, për t’u njohur me problematikat e tyre dhe për t’u ofruar mbështetje.

 

Ndërsa organizatori i këtij takimi z.Lazim Destani në fjalën e tij e cilësoi si shumë të rëndësishëm këtë takim të parë të KKD-së, ku janë bashkuar njerëz të përzgjedhur nga Diaspora, të cilët për vite me radhë kanë dhënë kontributin e tyre në promovimin e vlerave dhe interesave të kombit, duke qenë ambasadorët më të mirë të trojeve shqiptare. “Dëshiroj që ky takim, i këtij formati, për gjeneratat e reja të jetë shembull se si mund të arrihet koordinimi dhe bashkëpunimi më i mirë mes diasporës dhe institucioneve shtetërore në trojet tona”, u shpreh ai.

Në përbërje të këtij këshilli janë 15 përfaqësues nga Diaspora shqiptare, personalitete të fushave të ndryshme, të cilët japin një kontribut të vazhdueshëm në promovimin e interesave të kombit shqiptar dhe veçanërisht në çështjet e Diasporës shqiptare. Si anëtarë të këtij këshilli, ata gëzojnë një status të veçantë.

 

Gjatë takimit anëtarët u njohën në mënyrë të detajuar me politikat shtetërore për Diasporën, të cilat janë hartuar dhe janë në zbatim, institucionet në varësi të Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe punën e tyre të deritanishme në mbështetjen e komuniteteve shqiptare në fushën e kulturës, biznesit dhe arsimit.

Në kuadër të reformës legjislative për vitin 2019, Ministri Majko tregoi se janë marrë 12 vendime të rëndësishme dhe janë firmosur 6 marrëveshje ndërinstitucionale me fokus zhvillimin dhe mbështetjen e Diasporës. Gjithashtu, u prezantua edhe “Qendra e Studimeve dhe Publikimeve Arbëreshe”, institucioni më i ri i krijuar në varësi të Ministrit të Shtetit për Diasporën, puna e të cilit do të jetë e orientuar në kryerjen e studimeve të specializuara për historinë, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh.

 

Ministri Majko prezantoi edhe aplikacionin “Diaspora shqiptare”, i cili është një aplikacion informues jo vetëm për veprimtarinë e anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës, por edhe për problematika dhe informacione të dobishme për komunitetin shqiptar në botë. Në kuadër të ecurisë së punës për zbatimin e Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Diasporën u prezantuan aktivitet e planifikuara për vitin 2020 që janë: “Samiti i Grave të Biznesit”, “Takimi i Mjekëve”, “Takimi i Mësuesve të Diasporës”, “Takimi i Shkrimtarëve të Diasporës” si dhe “Takimi i Juristëve“.

Leave a Reply