Anëtarja e Këshillit Koordinues të Diasporës, znj. Brikena Muharremi, në një intervistë, sqaron mbi vendimin e marrë nga Këshilli për t’u ofruar mbështetje shqiptarëve në kufi.
“Ndërhyrja erdhi si rezultat i detyrës që kemi ne si Këshilli Koordinues i Diasporës. Ne e ndjemë si detyrë për të ndihmuar ata njerëz të bllokuar. Ne vendosëm të kërkojmë nga qeveria që ky grup të lejohej të hynte në Shqipëri, ndërsa ne ofruam ndihmën tonë financiare. Kjo e fundit ishte personale e jona, jo si detyrë e Këshillit”, tha Muharremi.
Ndërkohë, ajo foli dhe për situatën aktuale dhe punën e Këshillit, si organizimi i parë në historinë e shtetit shqiptar për të përfaqësuar interesat e Diasporës shqiptare.
“Këshilli është një institucion i cili u krijua nga shteti shqiptar dhe kompetencat janë që të përfaqësojmë interesat e shqiptarëve dhe t’i propozojë shtetit zgjidhjen e problemit. Rasti i fundit ishte një shembull ku ndërhyrja jonë ishte brenda kompetencave tona. Ne jemi krijuar vitin e kaluar dhe jemi në proces të gjetjes së mekanizmave më efikase, në mënyrë që të kontribuojmë për bashkatdhetarët në situata të ngjashme”, deklaroi ajo për “A2”.
Ajo, gjithashtu u bën apel të gjithë qytetarëve shqiptarë në vende të ndryshme të botës që të qëndrojnë në vendin ku jetojnë dhe të zbatojnë masat e marra derisa kjo situatë e pandemisë të kalojë.