Diaspora dhuron 5 mijë teste COVID-19 Ministrisë së Shëndetësisë

Diaspora dhuron 5 mijë teste COVID-19 Ministrisë së Shëndetësisë

Në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, u dorëzuan sot 5 mijë teste COVID-19, të dhuruara për Shqipërinë nga tre biznesmenë të Diasporës shqiptare.Me moton “Së bashku të mbështesim Shqipërinë në luftën kundër COVID-19”, donacioni i sjellë në Tiranë në bashkëpunim me Dhomën e Biznesit të Diasporës Shqiptare u dhurua nga Lazim Destani President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe themelues i kompanisë “Ecolog International”, Nazmi Viqa i kompanisë “Abbruch AWR” dhe Remzi Ejupi i “Eurokoha”.

Në ceremoninë e dorëzimit ishin Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, zv.Ministrja Mira Rakacolli, Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, si dhe Skënder Xhakaliu nga Ecolog, Gjermani, i cili përfaqësonte dy donatorët Destani dhe Viqa. Ndërsa donatori i tretë pjesëmarrës ishte Remzi Ejupi nga “Eurokoha”.Sasia prej 5 mijë testesh COVID-19 do t’i shërbejë Institutit të Shëndetit Publik për zgjerimin e kapaciteteve testuese të popullatës.

Skënder Xhakaliu nga Ecolog Gjermani, i cili përfaqësonte sot në Tiranë Lazim Destani dhe Nazmi Viqa, falenderoi dy ministrat pjesëmarrës në këtë ceremoni.

“Eshtë kënaqësi që jam këtu sot, në emër të Z. Lazim Destani, President i kompanisë Ecolog International dhe të Z. Nazmi Viqa, president i “Abbruch AWR”, së bashkë dhe me Z. Remzi Ejupi të kompanisë “Eurkoha”, të cilët dhuruan 5 mijë teste për diagnostikimin e popullatës për Coronavirus. Ky aksion ka filluar me Kosovën me 12 mijë teste, Luginën e Preshevës me 1 mijë, në Maqedoninë e Veriut me 2 mijë teste dhe sot jemi në Shqipëri, me 5 mijë teste nga Gjermania, si dhuratë për Ministrinë e Shëndetësisë, që së paku, Diaspora të kontribuojë e ta zbusë sadopak nevojën për diagnostikimin e popullsisë për këtë virus. Diaspora do të jetë gjithmonë e gatshme për të qenë pranë institucioneve të shteteve tona për të ndihmuar aty ku do të jetë nevoja, siç ka bërë më parë. Prandaj, e falenderojmë Ministrinë e Shëndetësisë për bashkëpunimin që kemi pasur, pasi kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm, Ministrin Majko që i jep përkrahje Diasporës në çdo aktivitet që ajo ka. Gjithashtu, një falenderim dhe për Dhomën e Biznesit të Diasporës këtu në Tiranë, e cila ka qenë përkrahëse në këtë donacion. Ndaj dhe uroj që ta kalojmë sa më shpejt dhe gazën e pandemisë”, tha Z.Xhakaliu.

Ndërsa Remzi Ejupi tha se, është momenti që të jemi të gjithë së bashku të organizuar e të gjithë të ruajmë jetën e njëri-tjetrit, si dhe të kemi sa më pak viktima. “Uroj që këto teste të përdoren sa më pak, pra të mos jetë nevoja. Mbetet vetëm të falenderoj dhe Z.Lazim Destani e Z.Nazmi Viqa për këtë aksion, që të paktën të mundohemi të gjendemi sadopak në këtë drejtim.

Operacioni për të ndihmuar vendet e tyre me ndihma për të përballuar situatën e pandemisë, ka nisur që në fillim të muajit qershor. Biznesmenët Lazim Destani, Nazmi Viqa dhe Remzi Ejupi, dhuruan 12 mijë teste COVID-19 për Kosovën, 1 mijë për Luginën e Preshës dhe dje 2 mijë copë për Maqedoninë e Veriut. Ndërsa nisma e tyre humanitare përfundoi sot në Shqipëri me 5 mijë të tilla, që iu dhuruan Ministrisë së Shëndetësisë.

Lexo më shumë:

 

SHBA / Mark Gjonaj dhuron maska falas në New York

SHBA / Mark Gjonaj dhuron maska falas në New York

Mark Gjonaj, kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe njëkohësisht këshilltar i Bashkisë së Nju Jork-ut, së bashku me disa organizata humanitare dhe vullnetarë vijojnë me shpërndarjen e maskave për qytetarët në New York.

Postimi i plotë:

Faleminderit për të gjithë ushqimoret në zonën tonë dhe në qytet që bëni një punë të shkëlqyeshme. Sot u ndalova pranë një ushqimoreje pranë Kishës Baptiste dhe dhurova shumë maska.

Më herët ai kishte bërë me dije se i kishte dhuruar një qendre komunitare dezifektant duarsh, kundër përhapjes së Covid-19.

Sot vizitova Qendrën e “Vjetër të Rrugës RAIN Boston Road” dhe dhurova dezifektant duarsh. CDC rekomandon përdorimin e dezifektantit të duarve për të parandaluar përhapjen e COVID-19”

Zvicër / Lazim Destani me Konsullin e Kosovës: Mundësi bashkëpunimi për investime

Zvicër / Lazim Destani me Konsullin e Kosovës: Mundësi bashkëpunimi për investime

Biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani zhvilloi një takim në Dyseldorf  me Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, z. Arjan Kashtanjeva ku diskutuan mbi tematika të ndryshme të zhvillimeve në Kosovë dhe mundësinë e bashkëpunimit për investime. Në një postim në facebook Presidenti i Nderit të Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare shkruan se ndër të tjera e ka informuar konsullin edhe për aktivitetetin e Këshillit Koordinues të Diasporës si dhe të Dhomës së Biznesit të Diasporës.

Postimi i plotë:

Sot pata kënaqësinë që në zyrat tona në Dyzeldorf ta pres në takim Konzullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në këtë qytet, z. Arjan Kashtanjeva.

Gjatë takimit me z. Kashtanjeva diskutuam e shkëmbyem mendime mbi tema të ndryshme lidhur me diasporën tonë në Gjermani por edhe mbi situatën aktuale në Kosovë. Nga bisedimet që zhvilluam së bashku, nga z. Kashtanjeva u njoftova në përgjithësi mbi punën dhe aktivitetet e kësaj Konzullate të Kosovës. Me këtë rast Konzullin e njoftova edhe mbi aktivitetet e Këshillit Koordinues të Diasporës si dhe të Dhomës së Biznesit të Diasporës.

Meqenëse në këtë rajon të Gjermanisë, Nordrhein-Westfalen (NRW), jetojnë e veprojnë shumë bashkatdhetarë dhe afaristë të suksesshëm, e pamë të nevojshme që në të ardhmen të jemi akoma më të koordinuar mes vete e me takime më të shpeshta.

Zvicër / z. Sokrat Sinaj, në një intervistë për emisionin “Opinion” diskuton mbi të drejtën e votës për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit

Zvicër / z. Sokrat Sinaj, në një intervistë për emisionin “Opinion” diskuton mbi të drejtën e votës për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit

Anëtari i Këshillit Koordinues të Diaporës, z. Sokrat Sinaj, në një intervistë për emisionin “Opinion” diskuton mbi të drejtën e votës për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

“Duke pasur parasysh që koha e vënë në dispozicion është e shkurtër, ne në peticionin tonë që u kemi adresuar të gjithë krerëve të shtetit shqiptar, kërkojmë të drejtën e votës së Diasporës, zgjedhja e deputetëve të jetë në mënyrë të lirë që të dihet kush është deputet i zonës që përfaqëson dhe Diaspora të ketë përfaqësuesin e saj në këto instancat e ndryshme të ingranazhit të zgjedhjeve”, shprehet z. Sinaj.

Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës zhvilluan një mbledhje online mbi të drejtën e votës me Kryeministrin, z. Edi Rama

Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës zhvilluan një mbledhje online mbi të drejtën e votës me Kryeministrin, z. Edi Rama

Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD) zhvilluan një mbledhje online me Kryeministrin, z. Edi Rama, për të diskutuar mbi të drejtën e votës për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Në mbledhje morën pjesë edhe Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko; Ministri i Brendshëm, z. Sandër Lleshaj; bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe anëtari i Këshillit Politik, z. Damian Gjiknuri; Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karcanaj. Që prej krijimit të Këshillit, anëtarët e tij kanë bashkëpunuar dhe janë angazhuar vazhdimisht për çështjet që kanë të bëjnë me përfaqësimin e interesave të shqiptarëve të larguar nga vendlindja dhe forcimin e marrëdhënieve të tyre me Shqipërinë. Sipas rendit të ditës, diskutimi u hap nga Kryeministri, i cili theksoi angazhimin e Qeverisë për të punuar për garantimin e votës për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Mbledhja vijoi me diskutimin e Kryetarit të KKD-së, z. Mark Gjonaj, dhe Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko. Ministri Majko u shpreh se maxhoranca ka vullnetin e plotë për sigurimin e të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë, e cila është një e drejtë kushtetuese. Më pas, mbledhja vijoi me diskutimet e anëtarëve të KKD-së mbi mundësinë e kontributit të kësaj strukture në procesin e garantimit të votës.

Kanada / Bordi i shkollës shqipe “Foleja e Shqiponjave” zhvilloi mbledhje online

Kanada / Bordi i shkollës shqipe “Foleja e Shqiponjave” zhvilloi mbledhje online

Në përgjigje të kufizimeve lidhur me pandeminë COVID-19, shoqatat dhe anëtarët e Diasporës shqiptare po vijojnë me veprimtaritë e tyre përmes platformave online.
Bordi i shkollës “Foleja e Shqiponjave”, kryesuar nga Prof. Dr. Adriana Fishta Bejko me nën-kryetare Zoica Dhamo dhe anëtarët Vjollca Ndokaj Guri,Shqipe Kuqi, Ermira Kusari, Kaltrina Kusari, Danjela Lumani Bregasi dhe Gëzim Ugzmaili diskutoi çështje të ndryshme lidhur me mbarëvajtjen e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Calgary, Kanada.
Nëpërmjet një njoftimi bëhet e ditur një hapësire të veçantë mësimdhënies online si një formë e cila mund të kombinohet me pjesëmarrjen fizike ne shkolle sipas kushte te mundësuara nga shkolla “North Point”. U propozua që meqënëse mësimi online është konsideruar i frutshëm gjatë kësaj periudhe, “Foleja e Shqiponjave” te konsiderojë mundesinë e kombinimit te orëve mësimore,

“Foleja e Shqiponjave” do të pajiset me një mini-bibliotekë me libra letrarë në gjuhën shqipe të cilët do të sigurohen nga Qendra e Botimeve të Diasporës. Kjo “biblioteke” do te shoqërohet me versione digjitale te librave jashtëshkollore qe mund te ndiqen online.

Shkolla “Foleja e Shqiponjave” i përket te gjithë komunitetit dhe, si e tillë, i jep mundësi të gjitha atyre që kanë arsimimin përkatës dhe dëshirën për t’iu mësuar fëmijëve gjuhën tonë amtare të aplikojnë për mësues të gjuhës shqipe.

Lazim Destani: Diaspora gjithmonë me sy nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia

Lazim Destani: Diaspora gjithmonë me sy nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia

Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe përfaqësuesi i “Ecolog”-ut, Lazim Destani së bashku me Remzi Ejupi nga “Eurokoha” dhe Nazmi Viqa nga “Abbruch AËR”, kanë dorëzuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike 15 mijë teste për COVID-19.Destani shprehet se personeli mjekësor në Kosovë ka bërë punë të madhe në menaxhimin e pandemisë si dhe theksoi se Diaspora vazhdimisht sytë i ka nga shqiptaria.

“Është kënaqësi dhe nder sot të jemi këtu. Pak më parë bëmë edhe një vizitë brenda Institutit dhe pamë format se si po ecën në këtë drejtim Instituti. Së bashku me dy kolegët e mi, Nazmi Viqa dhe Remzi Ejupi, morëm këtë iniciativë që të sigurojmë këto teste. Iniciativën e kemi marrë edhe më bashkëpunim me ish-ministrin Arben Vitia. Janë gjithsej 15 mijë teste. Diaspora i ka gjithmonë sytë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Shpresoj sa më shpejt të dalim nga kjo situatë”, tha ai.

Nga 15 mijë teste, 12 mijë janë për Kosovën, 2 mijë për Maqedoninë dhe 1 mijë për Luginë të Preshevës.Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj ka falënderuar Destanin dhe të tjerët për këtë donacion të nevojshëm për vendin në këtë kohë pandemie.

Fondacioni Global Shqiptar dhe organizata “Germin”, në mbështetje të peticionit të Këshillit Koordinues të Diasporës

Fondacioni Global Shqiptar dhe organizata “Germin”, në mbështetje të peticionit të Këshillit Koordinues të Diasporës

Fondacioni Global Shqiptar dhe organizata “Germin”, në mbështetje të peticionit të Këshillit Koordinues të Diasporës, për garantimin e të drejtës së votës për anëtarët e Diasporës shqiptare.

“Për një vend si Shqipëria, përfshirja e diasporës së saj të madhe në procesin politik paraqet një mundësi për të rritur sensin e identitetit shqiptar në të gjithë botën. Të gjithë duhet të duan një diasporë shqiptare të fortë dhe me ndikim si diasporat irlandeze, indiane apo izraelite, të cilat ruajnë dhe forcojnë lidhjet e tyre politike, ekonomike dhe sociale me atdheun. Askush nga ne nuk duhet të pranojë një diasporë të dobët dhe një vend të dobët siç e kemi tani, dhe të cilin do ta kemi përgjithmonë të tillë derisa të dy grupet të luajnë sikur të jenë një ekip futbolli dhe jo dy”, thuhet në artikullin e tyre.

Artikulli i plotë më poshtë:

Vota e  diasporës është kritike për të ardhmen e Shqipërisë

Vendet demokratike kanë institucione politike që pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve të tyre, dhe jo vullnetin e udhëheqjes politike. Fatkeqësisht, Shqipëria nuk është një nga këto vende. Gjysma e qytetarëve të saj nuk mund të votojnë me lehtësi, dhe asnjë nuk voton direkt për përfaqësuesit e tyre në parlament.

A do të ndryshojë kjo në 2021? Po, jo, ndoshta? Nëse e kaluara parashikon të ardhmen, atëherë përgjigjja përfundimtare do të jetë JO, por përgjigjia duhet të jetë PO për shumë arsye.

Rritja e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhje do të bënte të mundur që mbi 1.4 milion qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të votojnë dhe do të rriste legjitimitetin demokratik në Shqipëri. Siç u tha nga Ministria e Shtetit për Diasporën në korrik 2018, “konsiderohet se zgjedhjet në Shqipëri dhe institucionet që rrjedhin prej tyre kanë ‘legjitimitet’ jo të plotë.

Për një vend si Shqipëria, përfshirja e diasporës së saj të madhe në procesin politik paraqet një mundësi për të rritur sensin e identitetit shqiptar në të gjithë botën. Të gjithë duhet të duan një diasporë shqiptare të fortë dhe me ndikim si diasporat irlandeze, indiane apo izraelite, të cilat ruajnë dhe forcojnë lidhjet e tyre politike, ekonomike dhe sociale me atdheun. Askush nga ne nuk duhet të pranojë një diasporë të dobët dhe një vend të dobët siç e kemi tani, dhe të cilin do ta kemi përgjithmonë të tillë derisa të dy grupet të luajnë sikur të jenë një ekip futbolli dhe jo dy.

Votimi është forma më themelore e pjesëmarrjes politike dhe mënyra më e mirë për të dëgjuar zërin e diasporës shqiptare. Pa votimin e diasporës, ka më pak nxitje që diaspora të forcojë veten e saj dhe që diaspora dhe të gjitha institucionet brenda Shqipërisë të punojnë së bashku për një Shqipëri më të mirë. Ndryshe nuk do të mund të ndodhë dhe vetëm një naiv do të besojë se do të mund të ndodhë.

Sigurimi i mundësive për të ushtruar të drejtën e votës tregon interesin e shtetit për të trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët, pavarësisht se ku ata jetojnë, dhe interesin e tij për të përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët. Siç thuhet nga Komisioni i Venecias, “Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit sugjeron që shtetet, duke pasur parasysh lëvizjen evropiane të qytetarëve, dhe në përputhje me situatën e veçantë të shteteve të caktuara, të adoptojnë një qasje pozitive ndaj të drejtës së votës së qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, pasi kjo e drejtë nxit zhvillimin e qytetarisë kombëtare dhe evropiane.” Ose, për ta thënë më qartë, pa një angazhim serioz në diasporë, rruga e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të jetë shumë më e vështirë.

Ku jemi tani

Kur filloi reforma zgjedhore, kishte shpresë se votimi jashtë vendit dhe votimi me listë të hapur do të adresohej në rishikimet e Kodit Zgjedhor të Shqipërisë. Në fakt, rëndësia e votës së diasporës u pranua gjatë Samitit të dytë të Diasporës Shqiptare në vitin 2019, kur Kryeministri Rama dhe Ministri i Shtetit për Diasporën Majko, premtuan se do të adresojnë këtë çështje në kohën e duhur.

Megjithatë, javën e kaluar, drejtuesit e partive më të mëdha politike të Shqipërisë arritën një marrëveshje mbi parimet e reformës zgjedhore, por deri më tani ka vetem premtime në lidhje me votimin e diasporës ose procedurat e votimit me lista të hapura – dy çështjet më të rëndësishme për të siguruar që zëri i qytetarëve të dëgjohet.

A do të thotë kjo që këto çështje janë të parëndësishme për udhëheqjen politike shqiptare apo se  këto çështje thjesht do të trajtohen në një datë të mëvonshme përmes rishikimeve në kodin zgjedhor siç është sugjeruar nga disa liderë politikë? A ka kohë të mjaftueshme për të adresuar në mënyrë adekuate të gjitha çështjet ligjore dhe teknike para zgjedhjeve të vitit 2021? Është koha që udhëheqja politike në Shqipëri tu përgjigjet qartë dhe publikisht këtyre pyetjeve. Pa përgjigje, skepticizmi i thellë dhe mungesa e besimit që kanë shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë për udhëheqjen e tyre politike do të përkeqësohen dhe dëmtojnë më tej të ardhmen e Shqipërisë.

Hapat përpara në Reformën Zgjedhore dhe Votimin e Diasporës

Për të filluar trajtimin e këtyre çështjeve, udhëheqja politike nga të gjitha partitë kryesore në Shqipëri duhet:

  • Të sigurojë që minimalisht votimi me postë të jetë i disponueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë në të gjithë botën për zgjedhjet e vitit 2021 dhe të krijojë një grup pune që të përfshijë anëtarët e Diasporës në monitorimin e të gjitha procedurave të votimit me postë dhe të sigurohet që këto hapa do të ndërmerren në kohën e duhur për të garantuar zbatimin real dhe të qetë të tyre;
  • Të garantojë që grupi i propozuar i punës të përbëhet nga zyrtarë qeveritarë dhe të komisionit zgjedhor, anëtarë të Këshillit Kombëtar Koordinues të Diasporës (i cili ka filluar një peticion online për të mbështetur të drejtat e votimit nga diaspora), udhëheqës të organizatave të diasporës të cilat kanë përgatitur analiza të shkruara mbi votimin e diasporës, si dhe anëtarë të tjerë të diasporës shqiptare;
  • Të implementojë masat e rekomanduara nga Ministria e Shtetit për Diasporën para Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore të cilat duket se janë lënë pas dore, pavarësisht një analize gjithëpërfshirëse të bërë nga Ministria e Shtetit për Diasporën, dhe të sigurojë që burimet e nevojshme financiare të jenë në dispozicion për reformën zgjedhore;
  • Të organizojë një takim publik për të diskutuar reformën zgjedhore dhe votimin jashtë vendit me organizatat e interesuara të diasporës shqiptare, udhëheqësit, anëtarët e tjerë të pavarur të diasporës, dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar;
  • Të kryejë një studim profesional të anëtarëve të Diasporës shqiptare të cilët e kanë moshën e votimit për të kuptuar më mirë shqetësimet dhe nevojat e tyre në mënyrë që ato të merren parasysh në formulimin e politikave dhe procedurave të votimit në diasporë për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021; dhe
  • Të punojë së bashku me organizatat në Kosovë dhe vendet e tjera që janë të njohur me çështjet e votimit në diasporë, të cilat mund ta këshillojnë Shqipërinë sesi të zbatojë më mirë një program për votimin nga jashtë vendit gjatë 12 muajve të ardhshëm.

Çfarë ofron (premton) e ardhmja?

Zgjedhjet e përgjithshme në 2021 janë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë. Nëse ato nuk bazohen në një reformë serioze elektorale që reflekton vullnetin e popullit dhe zërin e diasporës, atëherë Shqipëria do të humbasë një mundësi të artë përsëri. Ne shpresojmë se reforma e vërtetë do të fillojë një epokë të re dhe më të hapur demokratike në politikën shqiptare.

Pjesëmarrja maksimale e votuesve në zgjedhjet e ardhshme do të rrisë legjitimitetin e institucioneve politike shqiptare. Sidoqoftë, kjo do të ndodhë vetëm nëse lidershipi politik i Shqipërisë zbaton një reformë serioze zgjedhore që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve duke përfshirë votimin jashtë vendit dhe votimin me listë të hapur për deputetët në Parlament. Çdo gjë më pak se kjo do të jetë një dështim demokratik që populli i Shqipërisë dhe diaspora e madhe shqiptare nuk do ta pranojnë apo harrojnë.

Mbi 150 vende të botës dhe mbi 40 në Evropë e aplikojnë votimin e diasporës – Shqipëria nuk është një prej tyre. Është koha që Shqipëria të ndryshojë këtë, ndërkohë që kërkon të bëhet një komb modern dhe anëtar në BE. Është koha për lidershipin politik të Shqipërisë të heqëfrikën dhe kryesisht injorimin ndaj diasporës dhe të heqë frikën ndaj reformës zgjedhore, dhe në vend të kësaj, t’i përqafojë këto si të nevojshme për një të ardhme të ndritshme për Shqipërinë.

Për më tepër, duke marrë parasysh mungesën e varësisë ekonomike të diasporës shqiptare nga partitë politike të Shqipërisë dhe pozicionin e saj të fortë kundër korrupsionit (përfshirë këtu edhe Kosovën), votimi i diasporës do të ushtronte presion të nevojshëm për reformën demokratike. Do të ndihmonte për të nxitur ndryshimet demokratike, ekonomike dhe sociale që do të kërkohen nga Shqipëria kur të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Miliona shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë janë një potencial i shkëlqyer e i pashfrytëzuar për Shqipërinë në botën tonë globale gjithnjë e më të lidhur. A do të vazhdojë Shqipëria të jetë si një skuadër e dobët futbolli me vetëm gjysmën e lojtarëve të saj me uniformë – përfshirë disa prej lojtarëve të saj më të mirë – sepse nuk ka menaxhim të skuadrës që vlerëson vlerën e të gjithë lojtarëve të saj? Apo menaxhimi do të zgjohet më në fund dhe do të kuptojë që ekipi mund të përmirësohet? Shumë shpejt do ta zbulojmë, dhe ne së bashku me qindra mijëra shqiptarë në mbarë botën jemi të gatshëm të luajmë pa marrë parasysh se çfarë vendosin drejtuesit.

10 qershor, 2020

Fondacioni Global Shqiptar

Organizata Germin

Angli / Brikena Muharemi flet për garantimin e të drejtës së votës për Diasporën dhe peticionin e iniciuar nga Këshilli

Angli / Brikena Muharemi flet për garantimin e të drejtës së votës për Diasporën dhe peticionin e iniciuar nga Këshilli

Anëtarja e Këshillit Koordinues të Diasporës, Brikena Muharemi, në një intervistë flet për garantimin e të drejtës së votës për Diasporën dhe peticionin e iniciuar nga Këshilli.  

Sipas saj kjo e drejtë e cila duhet të garantohet me ligj nga Kushtetuta e Shqipërisë në Kodin Zgjedhor është e kufizuar.

Shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë nuk mund të votojnë nga vendbanimet e tyre, por duhet të jenë më Shqipëri dhe kjo e bën të pamundur pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

“Ne si Këshill Koordinues i Diasporës e kemi kërkuar që në mbledhjen e parë të drejtën e votës së Diasporës dhe peticioni është nisma më e fundit që ne kemi marrë për këtë gjë. Ne gjithashtu javën e kaluar i kemi dërguar letër Komisionit për Reformën Zgjedhore, dhe palëve të tjera të cilat janë pjesë e negociatave. Duke parë situatën në të cilën ndodhemi së fundmi ne duam që vota e Diasporës të jetë e pranishme para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Përgjigja që ne kemi marrë nga institucionet shtetërore për propozimet që ne mbështesim, është se këto propozime po shqyrtohen, pra janë në tavolinën e Komisionit për Reformën Zgjedhore”, shprehet Muharremi.

Nëpërmjet peticionit synohet t’u tregohet institucioneve se e drejta e votës kërkohet nga e gjithë Diaspora dhe jo vetëm nga Këshilli Koordinues. Kjo nismë është përkrahur nga rreth 70 organizata shqiptare dhe në mbarë botën dhe nga mbi 40 “Ambasadorë Kombi” të Shqipërisë në botë. Brenda 3 ditësh është marrë një përkrahje shumë e madhe nga diaspora ku janë përfshirë mbi 800 individë.

“Për ne si Këshill Diaspore respektimi i të drejtave të saj është gjë thelbësore. E drejta e votës së diasporës garantohet në atë Kushtetutë dhe zbatimi i saj është thelbësore në demokraci”, përfundon ajo.

Intervista e plotë.