Në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, u dorëzuan sot 5 mijë teste COVID-19, të dhuruara për Shqipërinë nga tre biznesmenë të Diasporës shqiptare.Me moton “Së bashku të mbështesim Shqipërinë në luftën kundër COVID-19”, donacioni i sjellë në Tiranë në bashkëpunim me Dhomën e Biznesit të Diasporës Shqiptare u dhurua nga Lazim Destani President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe themelues i kompanisë “Ecolog International”, Nazmi Viqa i kompanisë “Abbruch AWR” dhe Remzi Ejupi i “Eurokoha”.
Në ceremoninë e dorëzimit ishin Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, zv.Ministrja Mira Rakacolli, Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, si dhe Skënder Xhakaliu nga Ecolog, Gjermani, i cili përfaqësonte dy donatorët Destani dhe Viqa. Ndërsa donatori i tretë pjesëmarrës ishte Remzi Ejupi nga “Eurokoha”.Sasia prej 5 mijë testesh COVID-19 do t’i shërbejë Institutit të Shëndetit Publik për zgjerimin e kapaciteteve testuese të popullatës.
Skënder Xhakaliu nga Ecolog Gjermani, i cili përfaqësonte sot në Tiranë Lazim Destani dhe Nazmi Viqa, falenderoi dy ministrat pjesëmarrës në këtë ceremoni.
“Eshtë kënaqësi që jam këtu sot, në emër të Z. Lazim Destani, President i kompanisë Ecolog International dhe të Z. Nazmi Viqa, president i “Abbruch AWR”, së bashkë dhe me Z. Remzi Ejupi të kompanisë “Eurkoha”, të cilët dhuruan 5 mijë teste për diagnostikimin e popullatës për Coronavirus. Ky aksion ka filluar me Kosovën me 12 mijë teste, Luginën e Preshevës me 1 mijë, në Maqedoninë e Veriut me 2 mijë teste dhe sot jemi në Shqipëri, me 5 mijë teste nga Gjermania, si dhuratë për Ministrinë e Shëndetësisë, që së paku, Diaspora të kontribuojë e ta zbusë sadopak nevojën për diagnostikimin e popullsisë për këtë virus. Diaspora do të jetë gjithmonë e gatshme për të qenë pranë institucioneve të shteteve tona për të ndihmuar aty ku do të jetë nevoja, siç ka bërë më parë. Prandaj, e falenderojmë Ministrinë e Shëndetësisë për bashkëpunimin që kemi pasur, pasi kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm, Ministrin Majko që i jep përkrahje Diasporës në çdo aktivitet që ajo ka. Gjithashtu, një falenderim dhe për Dhomën e Biznesit të Diasporës këtu në Tiranë, e cila ka qenë përkrahëse në këtë donacion. Ndaj dhe uroj që ta kalojmë sa më shpejt dhe gazën e pandemisë”, tha Z.Xhakaliu.
Ndërsa Remzi Ejupi tha se, është momenti që të jemi të gjithë së bashku të organizuar e të gjithë të ruajmë jetën e njëri-tjetrit, si dhe të kemi sa më pak viktima. “Uroj që këto teste të përdoren sa më pak, pra të mos jetë nevoja. Mbetet vetëm të falenderoj dhe Z.Lazim Destani e Z.Nazmi Viqa për këtë aksion, që të paktën të mundohemi të gjendemi sadopak në këtë drejtim.
Operacioni për të ndihmuar vendet e tyre me ndihma për të përballuar situatën e pandemisë, ka nisur që në fillim të muajit qershor. Biznesmenët Lazim Destani, Nazmi Viqa dhe Remzi Ejupi, dhuruan 12 mijë teste COVID-19 për Kosovën, 1 mijë për Luginën e Preshës dhe dje 2 mijë copë për Maqedoninë e Veriut. Ndërsa nisma e tyre humanitare përfundoi sot në Shqipëri me 5 mijë të tilla, që iu dhuruan Ministrisë së Shëndetësisë.