Francë / Anila Hyka Smorgrav: Shqiptarët të mos lëvizin jashtë vendit në këtë kohë

Nënkryetarja e Këshillit Koordinues të Diasporës, znj. Anila Hyka Smorgrav, u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë jashtë vendit të mos lëvizin nga shteti në shtet gjatë kësaj situate dhe thekson se të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të rikthehen në atdhe, duhet t’u drejtohen shërbimeve tona diplomatike.

Në një intervistë të dhënë për “Ora news”, ajo deklaroi: “Kam folur edhe me ambasadorin, këtu të paktën edhe ata studentë që kërkuan të riktheheshin në Shqipëri u lidhën me ambasadën. U zbatuan rregullat dhe udhëzimet të vendosura nga qeveria shqiptare. Një student që na kontaktoi e zgjidhi kthimin. Lidhur me situatën që ndodhi në Kapshticë të shqiptarëve që kërkuan të ktheheshin në Shqipëri e ndoqëm si të gjithë shqiptarët. U përpoqëm që të përdorim mjetet e komunikimit dhe ndihmën përmes ministrit të Diasporës me aq sa patëm mundësi ne kërkuam që t’i jepej një zgjidhje. Shqiptarët që ndërmarrin një rrugë të tillë në këtë kohë duhet të mendohen mirë duhet të marrin të gjithë informatat e duhura”.

Më tej, ajo foli për situatën aktuale në Francë dhe masat e marra, ku theksoi se qeveria franceze nuk do të lejojë qarkullimin pa marrë leje të veçanta.

Intervista e plotë.