Gazmend Kapllani flet për “Zërin e Amerikës” rreth programit të Katederës së Albanologjisë në Univeristetin DePaul në Çikago

Për herë të parë në historinë e universiteteve amerikane, nga shtatori i këtij viti do të fillojë punën Katedra e Albanologjisë në Universitetin DePaul në Çikago.

Drejtori i kësaj katedre dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, Gazmend Kapllani, tregon për “Zërin e Amerikës” se krijimi i saj shënon një moment të rëndësishëm në historinë e studimeve shqiptare.

Sipas tij, fushat e studimit të përfshira në këtë katedër do të jenë gjithëpërfshirëse.

“Do kemi të gjitha disiplinat nga gjuha, letërsia, historia, arkeologjia, filozofia. Dhe duam që të krijojmë një kurrikulë sa më bashkëkohore sepse Albanologjia ka mundësi të jashtëzakonshme sidomos kur lidhet me çështje që janë në qendër të diskutimeve globale sot, qoftë për letërsinë e diasporës, qoftë për historinë dhe gjeostrategjinë, qoftë për fenë“, – shprehet Kapllani.

Themelimi i kësaj katedre u bë i mundur nga një donacion i filantropit shqiptaro-amerikan, Hidai Eddie Bregu.