Gjermani / Lazim Destani: Bizneset në Diasporë të ndihmojnë vendlindjen

Anëtari i KKD-së, Lazim Destani, u bën thirrje bizneseve shqiptare në Diasporë që të bashkohen për t’i ardhur në ndihmë vendlindjes së tyre.

Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës si dhe President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Lazim Destani, u bën thirrje bizneseve shqiptare në Diasporë që të bashkohen për t’i ardhur në ndihmë vendlindjes së tyre në këtë situatë të vështirë të krijuar nga pandemia COVID-19.

Përmes një publikimi në rrjetet sociale, Destani u është drejtuar Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare si dhe Unioneve, Shoqatave e Fondacioneve të ndryshme në Diasporë për të vënë në lëvizje strukturat e tyre me qëllim që t’i dalin në ndihmë popullit shqiptar kudo ku janë.

“Gjatë periudhave të vështira në të kaluarën, Diaspora shqiptare gjithmonë ka ditur të organizohet e të koordinohet madje shumë më mirë se në gjendje normaliteti. Kërcënimet e rreziqet, çfarëdo të kenë qenë, gjithmonë na kanë bashkuar e na kanë bërë edhe më të fortë për t’i mposhtur e tejkaluar ato”, ka deklaruar Destani.

Më tej, ai ka thënë se vendet perëndimore kanë institucione dhe sisteme shëndetësore shumë më të zhvilluara krahasuar me vendet tona që fatkeqësisht nuk i kanë të gjitha kapacitetet për t’u përballur me këtë situatë, prandaj  u bën apel bizneseve, shoqatave që të koordinohen për t’i ardhur në ndihmë vendit të tyre.

“Koordinim në radhët tona dhe bashkërenditje të veprimeve për ndihmën e përbashkët humanitare dhe sinergjinë sociale në mbështetje të Institucioneve Shëndetësore dhe familjeve në nevojë në trojet tona. Përmes këtij aktiviteti, të sigurojmë pajisje të nevojshme për Shëndetësinë dhe mbështetje për familjet në nevojë, me produkte kryesisht të prodhuara në vendet tona. Në këtë mënyrë madje do të jepnim impakt të dyfishtë, social dhe ekonomik njëkohësisht”, shkruan ai.

Ndërkohë, filantropi shqiptar ka thënë se është i bindur se përmes një solidariteti të këtillë të shqiptarëve, do të arrihet të mbështeten familjet në vendlindje që të mos kenë frikë në këtë situatë të vështirë.

Gjithashtu, ai ka falenderuar të gjithë anëtarët e Diasporës shqiptare, për kontributin e tyre për dhe çdo gjë që kanë bërë dhe po bëjnë bën për atdheun e tyre.

Postimi i plotë.