Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, Lazim Destani, pak ditë më parë, u bëri thirrje bizneseve, shoqatave e fondacioneve që të angazhohen për të kontribuar në vendin e origjinës në këto ditë të vështira.
Si pjesë e kësaj thirrje kompania “Ecolog”, e drejtuar nga familja Destani, ka shpërndarë pajisje elektronike për fëmijët e familjeve në nevojë, të cilët në këto kushte duhet të zhvillojnë mësimin online.
Përmes një publikimi në rrjetet sociale, Destani shprehet: “Në kuadër të këtyre përpjekjeve si dhe në përputhje me apelin tim, e çmoj dhe e falënderoj ekipin nga biznesi ynë familjar i cili pas një angazhimi prej dy javësh e finalizoi projektin për dhurimin e mijëra pajisjeve teknologjike për mësim online”.
Më tej, thotë se kjo nismë erdhi pasi shumë nxënës nuk kanë mundësinë të ndjekin procesin mësimor nga shtëpia ndërsa thekson se ajo do të përfshijë të gjitha familjet në nevojë në trojet shqiptare.
“Ky donacion u dedikohet nxënësve të cilët për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike mbetën jashtë procesit arsimor. Ndër gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë gjatë krizës që solli Covid-19 është që, e ardhmja e këtij vendi, fëmijët, të vazhdojnë me ndjekjen e procesit mësimor pa pengesa. Ky donacion do t’i përfshijë fëmijët e familjeve me gjendje më të rënduar ekonomike si në Maqedoninë e Veriut ashtu dhe në Shqipëri, Kosovë e më gjerë në trojet tona”, shkruan Destani.
Shpërndarja e pajisjeve teknologjike ka filluar me qytetin e Shkupit për të vazhduar më tej në qytetet e tjera.