Gjermani / Lazim Destani, pjesë e aktiviteve në kujtim të presidentit Rugova

Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës shqiptare, Lazim Destani mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës me titull “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtet-formimin e Kosovës” në Berlin të Gjermanisë. Ky aktivitet është organizuar në nderim të figurës dhe punës së Presidentit Rugova, në përkujtimin e 14-vjetorit të vdekjes së tij.

Destani, përmes një publikimi në “Facebook“, ka shkruar për rëndësinë e organizimit të kësaj ngjarjeje në kujtim të veprës së presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, dhe mbi të gjitha, tënjeriut që bëri aq shumë për Pavarësinë e Kosovës.

“Sot në Berlin pata kënaqësinë të marrë pjesë në shënimin e 14 vjetorit të vdekjes së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, dhe mbi të gjitha, njeriut që bëri aq shumë për Pavarësinë e Kosovës. Me rastin e shënimit të kësaj dite në nderim të Presidentit Dr. Ibrahim Rugova u hap ekspozita me titull, “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtet-formimin e Kosovës”.

…Në këtë ngjarje ishin prezent bashkatdhetarë të shumtë me punë e biznese në Gjermani por edhe miq gjermanë që kishin ardhur për ta nderuar komunitetin tonë në Gjermani dhe në veçanti, figurën e Dr. Ibrahim Rugovës”, ka shkruar Destani.

Hapja e kësaj ekspozite me autorë Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, u mundësua nga Muzeu Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Gjermani.