Itali / Rosario Petta, thirrje në kujtim të Giovani Falcone

28 vjet më parë u ekzekutua në Palermo gjykatësi Giovanni Falcone nga klani i Cosa Nostra-s. Falcone që ishte simboli i denjë i sistemit të drejtësisë dhe i luftës kundër krimit, u vra teksa ndodhej në makinë me gruan e tij dhe me tre truprojat.

Në kuadër të përkujtimin të kësaj ngjarje tronditëse për mbarë vendin, Kryetari i Komunës “Piana degli Albanesi” në Siçili të Italisë, arbëreshi Rosario Petta, i cili është edhe anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, ka shpërndarë në rrjetet sociale një njoftim sensibilizues, në të cilin u bën thirrje të gjithë banorëve të komunës që drejton: “Ta ngjyrosim me të bardhë qytetin, në mënyrë që të mos harrojmë!”.

Banorët e “Piana degli Albanesi” do t’i mbulojnë me çarçafë të bardhë ballkonet e tyre dhe do të mbajnë një minutë heshtje, sot në orën 17.58, pikërisht në kohën ekzakte që u vra Falkone.

Ky homazh vjen për të kujtuar të gjitha viktimat e masakrave dhe për të gjithë njerëzit që përçojnë parimet e guximit dhe të ndershmërisë.