Kanada / Adriana Fishta-Bejko intervistë me mjekun shqiptar

Anëtarja e Këshillit Koordinues të Diasporës, Dr. Adriana Fishta-Bejko ka zhvilluar një intervistë me mjekun shqiptar Bernard Meshi, në Calgary të Kanadasë.

Në këtë intervistë, mjeku Meshi tregon për rrugëtimin e tij profesional dhe situatën aktuale të krijuar nga koronavirusi në Kanada. Sipas Meshit, transmetuesit e këtij virusi janë kryesisht lakuriqët e natës dhe është hera e parë që transmetohet tek njerëzit.

“COVID-19 (SARS-CoV-2) është pjestar i ri i familjes së Coronovirus që u identifikua në qytetin Wuhan, Hubei Province të Kinës, në fund të vitit 2019, si shkaktar i rasteve të pneumonive (sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes) jo tipike dhe Sindromit akut të distresit respirator (ARDS), (mungesa e aftësisë për të marrë frymë).  Transmetuesit janë kryesisht lakuriqët e natës dhe është hera e parë që virusi transmetohet tek njerëzit. Transmetimi nga personi në person bëhet nëpërmjet “piklave” nga kollitja, tështirja, e folura (ngjashmërisht me influencën) dhe që është arsyeja për masat e marra për distancimin social në distancën  2 metra. Infeksioni gjithashtu përhapet kur personi prek sipërfaqet e infektuara dhe pastaj prek fytyrën, gojën, hundën etj. Rreziku më i madh, rreth 10%, është infektimi për anëtarët e familjes”, deklaroi mjeku.

Gjithashtu, ai shpjegon se rreziku më i madh është për moshat mbi 65 vjeҫ dhe për pacientët me probleme shëndetësore si sëmundjet kronike të mushkërive, të veshkave, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, me imunitet të ulët dhe që kanë pasur transplant organesh.

Sa i përket situatës në Alberta, ai thotë se ka rreth 5355 raste të konfirmuara me COVID-19 nga të cilët 2,883 janë në Calgary ndërsa thotë së ka 2161 persona të shëruar dhe 89 persona që kanë humbur jetën. Sipas tij, planifikimi është që deri në fund të muajit, Alberta të ketë në dispozicion rreth 2500 krevate të shërbimit akut dhe mbi 761 ventilatorë për trajtimin e pacientëve të infektuar.

Mjeku Meshi thekson se shumica e personave që transmetojnë virusin nuk kanë simptoma, por paraqesin rrezikun më të madh për përhapjen e infeksionit ndërsa si masa mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje sipas tij janë izolimi dhe ruajtja e distancës sociale.

Dr. Meshi ka mbaruar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitet “89-’90. Pas një Observership në Angli, ka studiuar për Imunologji në King’s College, London ku dhe përfundoi gradën shkencore Master (MSc Immunology), në vitet ’93-‘95. Në pranverën e vitit ’97 familjarisht emigron në Kanada ku jeton dhe jep kontributin e tij në sistemin shëndetësor kanadez.

Intervista e plotë: