KËSHILLI KOORDINUES I DIASPORËS


Kanada – Adriana Fishta-Bejko
Doktor i shkencave në psikiatri me fokus në përvetësimin e gjuhëve të huaja. Znj. Fishta-Bejko është një intelektuale e njohur si mësimdhënëse, autore dhe studiuese shkencore. Gjatë 42 viteve si edukatore ka arritur të krijojë raporte me drejtues në fushën e arsimit, prindërve dhe nxënësve, duke pasur influencë pozitive në vende të ndryshme të botës me mësimdhënie në disa kontinente dhe shumë shtete. Për arritjet e saj në fushën e arsimit në vitin 2002 ajo u laureua me çmimin “Who’s Who” për kontinentin Amerikan dhe çmimin e dytë për “Emigrant of Achievement”, Calgary, Alberta. Në maj 2018 ajo u zgjodh kryetare e bordit të shkollës “Foleja e Shqiponjave” në Calgary, Alberta.

Francë – Anila Hyka Smorgrav
Profesioniste në fushën e IT. Në 1997 ka kryer studimet Master në Oslo për IT. Në 2003 ka mbrojtur shkëlqyeshëm në Universitetin e Sorbonës gjuhën frënge dhe filloi të punojë si pedagoge pranë këtij institucioni. Njëkohësisht ajo drejton projekte dhe është konsulente biznesesh të rëndësishme në gjithë Evropën. Aktiviste e organizatave shqiptare në migracion.

Hollandë – Ardian Lekaj

Z. Lekaj është një histori suksesi në fushën e biznesit evropian dhe më gjerë. Ka mbaruar studimet për ekonomi në Universitetin e Tiranës ndërsa studimet Master i ka kryer në Hollandë për sigurime shoqërore. Që prej 1991 jeton në Hollandë duke drejtuar një sërë projektesh në infrastrukturë në të gjithë Evropën. Është një ekspert i rëndësishëm financiar duke drejtuar biznese dhe projekte me vlera të konsiderueshme financiare. Z. Lekaj është aktivist dhe mbështetës i komuniteteve shqiptare jashtë vendit.

Kanada – Ardian Radovicka

Me pasion pikturën edhe pse me profesion inxhinier, ka emigruar ne Kanada në 2006, ku zhvillon aktivitete të ndryshme artistike dhe kulturore. Z. Radovicka jep një ndihmë të çmuar sidomos ndaj edukimit dhe këshillimit të karrierës së të rinjve shqiptarë në Kanada duke i orientuar drejt tregut kanadez të punës. Në 2016 zgjidhet anëtar i klubit të Artit “Don Valley”.

Australi – Bashkim Bekiri

Z. Bekiri është Kryetar i Shoqatës së Komunitetit Shqiptaro –Australian. Ai ka merita të veçanta në organizimin e komunitetit shqiptar në Australi duke mbajtur njëkohësisht lidhjet me vendlindjen. Ka iniciuar një sërë aktivitetesh kushtuar kulturës dhe traditës shqiptare duke qenë një protagonist i komunitetit shqiptar në Australi.

Britani e Madhe – Brikena Muharremi

Avokatja e parë shqiptare femër në Mbretërinë e Bashkuar që në vitin 2005. Znj. Brikena ka kryer studimet Bachelor në Drejtësi në Universitetin Westminster në Londër. Prej 5 vitesh është kryetare e shoqatës se Avokatëve Shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar (BALA). Aktualisht është e licensuar në Londër si Barrister, avokate me të drejta te përfaqësimit në të gjitha gjykatat në Angli dhe në Wells. Aktiviste e njohur në komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe.

Britani e Madhe – Endri Hatillari

Z. Hatillari ka kryer studimet Master Shkencash në Ekonomi në Mbretërinë e Bashkuar si dhe është diplomuar në Universitetin e Londrës për Menaxhim, me rezultate shumë të larta. Z. Hatillari është një profesionist i suksesshëm dhe aktivist i njohur për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve në Britani. Ai u përzgjodh si kandidat në zgjedhjet lokale të vitit 2018 për Bashkinë Harrow në veri të Londrës.

SHBA – Esmeralda Mosko

Këshilltare bordi e Organizatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qirjazi” me qendër në New York. Themeluese e Fondacionit “Global Albanians Foundation”. Interesat e saj janë të fokusuara në të drejtat e fëmijëve, advokimin për edukimin dhe të drejtat e njeriut. Fillimisht ka punuar në ambasadën e SHBA-së në Tiranë ku i është dhënë titulli i nderit “Meritorious Honor Award” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Greqi – Gazmend Kapllani

Kapllani ka kryer studime doktorale në shkenca Juridike dhe Filozofi ne Athinë. Ai prej vitesh është profesor në universitet dhe ka një sërë publikimesh politike, letrare ne gjuhën greke si dhe ka realizuar disa kërkime shkencore. Ka kontribut aktiv në jetën politike në shtetin grek si dhe pjesëmarrje aktive në disa konferenca ndërkombëtare. Aktualisht është shkrimtar i suksesshëm, dramaturg, gazetar dhe mbrojtës i të drejtave të migrantëve shqiptarë në Greqi

Gjermani – Lazim Destani

Lindur në Tetovë, ka emigruar në moshë të hershme drejt Gjermanisë për arsye ekonomike. Në 1987 themelon biznesin parë me objekt transportin, “Sharri Tours”. Ka ndjekur çështjen shqiptare në rajon i shqetësuar për papunësinë dhe situatën ekonomike. E konsideron detyrë humanitare dhe patriotike mbështetjen e vazhdueshme dhe progresive në arsim, sport dhe kulturë. Ka marrë disa tituj nderi si nga autoritetet me të larta shqiptare: “Doctor Honoris Causa” në Universitetin e Tetovës; Medaljen meritave nga Presidenti i Republikës së Kosovës; dhe titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në 2012.

SHBA- Mark Gjonaj

Këshilltar në Bashkinë e New York-ut, ku përfaqëson Distriktin e Bronxit. I diplomuar në “Saint John’s University”, z. Mark Gjonaj është i pari shqiptaro-amerikan në bashkinë e New York-ut zgjedhur që prej 2017, ndërsa në 2012-2017 ka qenë anëtar i asamblesë së shtetit të New Yorkut. Aktivist i hershëm në çështjen e Diasporës shqiptare në shërbime filantropike duke dhënë një kontribut të vazhdueshëm për kauzën shqiptare.

Turqi – Namik Shabi

Kryetari i shoqatës “Vatra” në Turqi me aktivitet të rëndësishëm në promovimin e shqiptarëve në shoqërinë turke, njëkohësisht edhe lobues për investimet e huaja në trevat shqiptare. Z. Shabi ka kontribut në ngritjen e qendrave kulturore shqiptare si dhe rimëkëmbjen e shoqatave shqiptare në Turqi. Z. Shabi ka qenë organizator i një sërë aktivitetesh me pjesëmarrje të gjerë të komuniteti shqiptar në shtetin e Turqisë.

Itali – Rosario Petta

Kryetar Bashkie në “Piana dei Albanesi”, komuna arbëreshe në Itali. Ai ka kontribut të vyer në ruajtjen e gjuhës dhe traditave arbëreshe si dhe organizimet kulturore si kryetar bashkie dhe anëtar i këshillit bashkiak prej vitesh. Z. Petta është aktivist dhe koordiantor i dalluar në aktivitetet e organizuara nga komuniteti arbëresh, sidomos në marrëdhënie me vendin e origjinës.

Zvicër – Sokrat Sinaj

Profesor i shkencave në agrikulturë. Ka kryer studimet e doktoraturës në “National Polytechnic Institute of Lorraine”, Nancy, Francë, si dhe mban titullin profesor nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave të Francës prej vitit 2005. Z. Sinaj ka një sërë publikimesh shkencore si dhe është anëtar i një sërë organizmash kërkimore shkencore prestigjioze. Ai është një aktivist në përkrahje të interesave të komunitetit shqiptar jashtë vendit.

SHBA – Visar Tasimi

Themelues i shkollës shqipe në Waterbury në 2011, njëkohësisht themelues i bursës vjetore “Albanian Community Scholarship” dhe drejtor i festivalit artistik shqiptar në Waterbury. Ka bashkëpunime të vazhdueshme me senatin amerikan dhe ka qenë disa herë i ftuar në kuvendin e Connecticut për mbrojtjen e mësimit në gjuhën shqipe dhe njohjes së lejeve të drejtimit në SHBA.