Lazim Destani: Diaspora gjithmonë me sy nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia

Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe përfaqësuesi i “Ecolog”-ut, Lazim Destani së bashku me Remzi Ejupi nga “Eurokoha” dhe Nazmi Viqa nga “Abbruch AËR”, kanë dorëzuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike 15 mijë teste për COVID-19.Destani shprehet se personeli mjekësor në Kosovë ka bërë punë të madhe në menaxhimin e pandemisë si dhe theksoi se Diaspora vazhdimisht sytë i ka nga shqiptaria.

“Është kënaqësi dhe nder sot të jemi këtu. Pak më parë bëmë edhe një vizitë brenda Institutit dhe pamë format se si po ecën në këtë drejtim Instituti. Së bashku me dy kolegët e mi, Nazmi Viqa dhe Remzi Ejupi, morëm këtë iniciativë që të sigurojmë këto teste. Iniciativën e kemi marrë edhe më bashkëpunim me ish-ministrin Arben Vitia. Janë gjithsej 15 mijë teste. Diaspora i ka gjithmonë sytë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Shpresoj sa më shpejt të dalim nga kjo situatë”, tha ai.

Nga 15 mijë teste, 12 mijë janë për Kosovën, 2 mijë për Maqedoninë dhe 1 mijë për Luginë të Preshevës.Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj ka falënderuar Destanin dhe të tjerët për këtë donacion të nevojshëm për vendin në këtë kohë pandemie.