Lazim Destani, sqarim për vendimin e KKD-së

Lazim Destani, anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe njëkohësisht President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, sqaron mbi vendimin e marrë nga KKD, për t’u ofruar ndihmë shqiptarëve në pikën kufitare me Greqinë. Z. Destani thekson se, së bashku me anëtarët e tjerë të Këshillit, kanë mbuluar të gjitha shpenzimet e hotelit në Korçë, ku është bërë i mundur qëndrimi i tyre për 14 ditë.

Përmes një publikimi në rrjetet sociale, z. Destani deklaroi: “Siç bëhej e ditur nga media, situata e emigrantëve shqiptarë që kishin mbetur të bllokuar për disa ditë në zonën neutrale, në Kapshticë ishte mjaft e vështirë dhe brengosëse. Prandaj më vjen mirë që në saje të angazhimit konkret të Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Majko, në bashkëveprim me Këshillin Koordinues të Diasporës i dhamë zgjidhje të menjëhershme këtij problemi. Ishte ky një veprim konkret i Këshillit 15 anëtarësh ku bëj pjesë edhe unë, që i doli në ndihmë grupit të emigrantëve tanë që po ktheheshin nga Greqia. Ne si Këshill së bashku kemi mbuluar të gjitha shpenzimet e hotelit në Korçë ku ata do të qëndrojnë për 14 ditë në karantinë”.

Më tej, ai këshillon dhe inkurajon qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të vijojnë me zbatimin e masave të tjera për parandalimin e përhapjes së Covid-19.