Ndërhyrja e KKD-së, zgjidhet problemi i shqiptarëve të mbetur në kufi

Pas deklaratës së Këshillit Koordinues të Diasporës, se do të mbështeste financiarisht periudhën e karantinës për 27 emigrantët e shqiptarë të bllokuar prej katër ditësh në pikën kufitare me Greqinë, pasditen e sotme ata kanë mbërritur në Korçë.

Evakuimi u bë pas plotësimit të procedurave dhe kontrollit mjekësor, ndërsa shqiptarët u dërguan me automjetet e autoriteteve në një nga hotelet në qytetin e Korçës, ku do të qëndrojnë për 14 ditë në karantinë.

Prej disa ditësh, 27 emigrantë në Kapshticë mbetën të bllokuar për shkak se pala shqiptare nuk i lejonte të kalonin në kufij në kuadër të masave kundër përhapjes së Covid-19.

Por sot ashtu siç deklaroi edhe kryeministri Edi Rama është dhënë një zgjidhje për qytetarët.

Tashmë ata janë transferuar për të qëndruar në karantinë në një hotel në Korçë. Kjo pas negociatave dhe marrjes përsipër të kostos, 14 ditë në hotel dhe ushqim 3 vaktet nga Këshilli Koordinues i Diasporës Shqiptare.

Anëtarët e KKD-së e morën këtë vendim pasi Rama deklaroi se ata do futen në territorin tonë, vetëm nëse karantinohen 2 javë në struktura hoteliere me kostot e veta.

Më shumë.