Paneli “Përfaqësitë Diplomatike dhe Diaspora: drejt një bashkëveprimi më efikas dhe modern”

Paneli “Përfaqësitë Diplomatike dhe Diaspora: drejt një bashkëveprimi më efikas dhe modern”, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, mblodhi përfaqësues të lartë shtetëror si edhe përfaqësues të spikatur të Diasporës shqiptare dhe u ndoq me interes nga rreth 370 pjesëmarrës.

Fjalën hapëse të këtij paneli e mbajti MPJ Bushati i cili u ndal në bashkëpunimin e përbashkët konsullor në kuadër të Partneritetit Strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës, i cili po thellohet më tej përmes veprimeve konkrete, siç ishte çelja e Konsullatës së Përbashkët në Mynih, pas asaj të Milanos, si dhe ofrimit të shërbimeve konsullore në Bari, me synimin për të ndjekur këtë praktikë edhe në vendet e tjera me interes të përbashkët. Gjithashtu, Ministri Bushati solli në vëmendje reformën e shërbimeve konsullore, ku veç rritjes së gamës së shërbimeve nëpërmjet aplikimit të teknologjisë dixhitale dhe uljes së çmimeve për shërbimet, me anë të përdorimit të aplikacionit E-Konsullata është rritur ndërveprueshmëria mes MPJ dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut dhe ky bashkëpunim do të njohë një dimension tjetër me zbatimin e Konsullatës dixhitale.

Në këtë panel fokusi primar i diskutimeve u përqendrua tek rritja e bashkëpunimit dhe ndërveprimit me komunitetet kombëtare në botë, ofrimin e shërbimeve konsullore ndaj tyre si dhe për krjimin e një mjedisi më të favorshëm për angazhimin e Diasporës shqiptare në mënyrë më efektive në zhvillimin politik, socio-ekonomik dhe kulturor të vendit, por edhe një bashkëveprim më efektiv, në funksion të ruajtjes dhe fuqizimit të identitetit dhe trashëgimisë sonë jashtë vendit.

Në këtë kuadër u prezantua puna për krijimin e konsullatave të përbashkëta me Kosovën si dhe u prezantua arritja më e fundit e diplomacisë shqiptare në shërbim të ofrimit të shërbimeve ndaj Diasporës shqiptare, aplikacioni E-Konsullata e cila synon të sjellë më afër shqiptarët kudo që ndodhen me anë të shërbimeve të nevojshme për to. Në kuadër të përmirësimit të mëtejshëm të kësaj marrëdhënie dhe shërbimesh siç u bë e qartë dhe në këtë panel, bëhet i nevojshëm vazhdimi i procesit të regjistrimit të Diasporës shqiptare, proces i cili ka filluar tashmë.

Leave a Reply