Peticion nga anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës për të drejtën e votës së emigrantëve

Diaspora Shqiptare është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në Shqipëri mbi Reformën Zgjedhore të cilat lidhen edhe me të drejtën e votës për shtetasit shqiptarë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Diaspora Shqiptare, duke përbërë mbi gjysmën e popullsisë së Republikës së Shqipërisë, ka luajtur një rol të rëndësishëm nëmomentet kyçe të historisë së kombit tonë dhe kontributi i saj ekonomik gjatë këtyre 30 viteve të fundit ka qenë jetik për vendin amë.

Respektimi i të drejtave të shtetasve shqiptar dhe i parimeve të demokracisë është thelbësor për shtetin shqiptar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Duke konsideruar votën e Diasporës jo vetëm një të drejtë kushtetuese të panegociueshme, por edhe kusht të domosdoshëm për emancipimin politik të Shqipërisë, zëri i diasporës bën thirrje që:

1. T’iu mundësohet të gjithë shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë e drejta e votës nga vendbanimet e tyre. Kërkojmë që kjo e drejtë të mundësohet dhe implementohet para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

2. T’i mundësohet popullit shqiptar e drejta të zgjedhë përfaqësuesit e tij përmes sistemit zgjedhor proporcional me lista të hapura.

Peticionin mund ta firmosni këtu.