Situata e vështirë e krijuar në SHBA ka prekur edhe komunitetin shqiptar jo vetëm me humbje njerëzore, por edhe me pasoja ekonomike e sociale.
Në një intervistë të dhënë, Mark Gjonaj, Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe njëkohësisht këshilltar i Bashkisë së New York-ut, flet për situatën dhe vështirësitë e krijuara nga pandemia COVID-19 për komunitetin shqiptaro-amerikan në New York.
Ai konfirmon se numri i rasteve të të prekurve me koronavirus është rritur edhe në komunitetin e Diasporës shqiptare, ku ka pasur edhe viktima.
Z. Gjonaj përmend dhe një ndër amanetet e bashkatdhetarëve, të cilët ndahen nga jeta larg atdheut: “Nëse vdes, trupin ma ktheni në vendlindje”, teksa theksoi se është problem kthimi i trupave të pajetë në vendilindje, për shkak të situatës.
“Dua të përmend tre raste me shqiptarë. Imagjinoje që një anëtar i familjes të humbë jetën dhe të mos kesh mundësi me shku me e varros. Para dy ditësh më thirri një shqiptar dhe më tha që po lufton me jetën dhe më la amanet që nëse vdes trupin me ja kthy në vendlindje. Shumica kërkojnë me u kthye në vendlindje dhe sa viktima janë nuk e di”, tha ai.
Sa i përket paketave stimuluese e qeverisë federale, ai bëri të ditur se bizneset e vogla kanë nevojë për likuiditet dhe duhet të mbështet jo vetëm me kredi, por duhet gjetur mënyra që ti jepen para nga qeveria federale.
Ndërkohë, në këtë situatë të pandemisë 10 milion amerikanë kanë humbur punën dhe shifrat mund të rriten pasi nuk dihet fundi i pandemisë.