SHBA / Mark Gjonaj vizitë në federatën mbarëshqiptare “Vatra”

Kryetari i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe këshilltar i Bashkisë së Nju-Jorkut, Mark Gjonaj zhvilloi një vizitë në federatën mbarëshqiptare “Vatra” në SHBA, ku uroi kryetarin Elmi Berisha për detyrën e tij të re.

Sipas njoftimit të federatës “Vatra”, Gjonaj vlerësoi dhe kontributin e kësaj federate si një faktor të rëndësishëm në bashkimin e komunitetit dhe promovimin e vlerave të kombit shqiptar.

“Vatra është një faktor historik dhe aktual i komunitetit dhe të gjithë ndjehemi krenarë për moshën dhe veprat e saj për komunitetin dhe Kombin shqiptar. …Sa më e fortë të jetë Vatra, sa më e bashkuar, sa më aktive të jetë ajo, aq më i fortë dhe më aktiv është komuniteti shqiptar në Nju-Jork e në SHBA”, ka thënë Gjonaj.

Ndër të tjera gjatë këtij takimi, këshilltari i Bashkisë Gjonaj informoi edhe për projektin e qendrës shqiptare, qëllim i së cilës do të jetë bashkimi i të gjitha shoqatave që ushtrojnë veprimtarinë atje.

Vatra është organizata më e vjetër shqiptaro-amerikane e themeluar nga Fan Noli e Faik Konica. Sot kjo federatë mbetet një nga pikat kryesore të referimit në komunitetin shqiptar në Amerikë.