Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, Visar Tasimi tregon se si po e përjeton situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.
Ai bën të ditur se po zbaton masat e marra nga qeveria ndërsa u bën thirrje bashkëqytetarëve të tij të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të frenohet përhapja e koronavirusit.
Referuar statistikave të fundit në qytetin e Waterbury në Connecticut, ai shprehet se ka mbi 800 raste.
Sipas informacioneve jozyrtare, ai thekson se ka të infektuar edhe nga komuniteti shqiptar, por deri më tani nuk ka asnjë viktimë nga ky komunitet.
Më tej, Tasimi ka folur për rolin dhe funksionin e tij si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës ku tha se: “Unë jam një nga tre këshilltarët nga Amerika që bëhemi 15 të gjithë nga mbarë bota dhe detyra jonë është vërtetë t’i japim zë diasporës në institucionet qeveritare në Shqipëri, kjo është hera e parë që qeveria shqiptare ka ngritur një organ që përbëhet nga diaspora”.
Lidhur me masat e marra në Shqipëri, Tasimi nënvizoi se shteti shqiptar ka marrë masat e duhura dhe prandaj ka një numër më të vogël të rasteve.
“Shqipëria po e përballon më lehtë virusin sipas numrit të të infektuarve në rajon dhe kjo mund të ketë lidhje direkt me masat që ka marrë Shqipëria që besoj se janë masa më të rrepta se kudo në Ballkan”, ka deklaruar Tasimi.