Këshilli Koordinues i Diasporës ndjek ngaherë me vëmendje të veçantë zhvillimet politike në hapësirën Shqiptare në Ballkan. Situata e jashtëzakonshme e pandemisë po krijon sfida të jashtëzakonshme politike dhe ekonomiko-sociale, pasojat e te cilave do ndjehen për shumë vite. Dy dekadat e fundit shqiptarët në Ballkan janë bërë faktor i rëndësishëm duke luajtur një rol politik të veçantë. Kjo pozitë mund të ruhet dhe forcohet vetëm përmes bashkëpunimit të shqiptarëve mes njeri-tjetrit me qëllim mbrojtjen e interesave të tyre jetike dhe demokratike.
Zgjedhjet e 30 Gushtit në Mal të Zi janë të rëndësishme për forcimin e demokracisë dhe integrimit ne BE dhe njëkohësisht një sfide bashkëpunimi për Shqiptarët që jetojnë atje. Shqiptarët e Malit të zi përbëjnë rreth 5% të popullsisë, një ndër 5 grupet më të mëdha etnike në vend, por me një përfaqësim të dobët në parlamentin aktual. Që shqiptarët të jenë faktor dhe të mbrojnë interesat e tyre në institucionet malazeze, duhet të jenë të bashkuar dhe në rastin konkret të votojnë për listat e përbashkëta shqiptare.
Jemi të bindur se duke votuar për listat Shqiptare ata forcojnë pozitën e tyre, duke forcuar në të njëjtën kohë të ardhmen Europiane dhe pozitën e Malit te Zi në rajonin tonë.
Ju bëjmë thirrje gjithë shqiptarëve në Ulqin, Plavë, Gucie, Tuz, Krajë të votojnë masivisht për përfaqësuesit e tyre shqiptarë, për të ardhmen e tyre.
Në këto çaste kritike le të kujtojmë fjalët e mençura të Shenjtores sonë kombëtare, Nënë Terezës:
“Unë mund të bëj gjëra që ti nuk i bën dot. Ti mund të bësh gjëra që unë nuk i bëj dot. Të bashkuar mund të bëjmë gjëra të mëdha”.
Thirrje e Këshillit Koordinues të Diasporës për të gjithë shqiptarët në Malin e Zi