Vaxhid Sejdiu


Vaxhid Sejdiu, ka lindur më 1961, në Kumanovë, Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Kumanovë. Studimet i kreu në Fakultetin Filozofik (sot Filologjik), në Degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë. Më 1985 u nderua me mirënjohjen “Student i dalluar” i Universitetit të Prishtinës.

Në vitin 2006 mbrojti temën e magjistraturës, me titull “Poema e sotme shqipe me temë historike” dhe në vitin 2014 temën e doktoratës “Vepra letrare e Din Mehmetit”. Gjatë viteve 1986 – 1988 punoi si prof. i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore “Vëllazërimi” (sot “Naim Frashëri”) në Kumanovë.                                                                

Më 1989 emigroi në Zvicër, duke u vendosur në Walenstadt SG. Më 1999 – 2008 punoi si mësues në shkollën zvicerane në Flums. Dha një kontribut të çmueshëm në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe aktiviteteve në shërbim të përpjekjeve të popullit shqiptar për liri dhe çlirim kombëtar.

Në vitin 2001 u emërua nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kryetar i Fondit “Liria Kombëtare” për Zvicër. Për kontribut të veçantë në luftën për çlirimin e Kosovës u nderua me mirënjohje. Më 1999 u zgjodh kryetar i L.A.P.Sh. “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallenit dhe nga viti 2003-2019 kryetar i Këshillit të Arsimtarëve. Për punën në procesin mësimor u nderua nga Ministria e Arsimit e R. së Kosovës, kurse për kontributin në “Promovimin e Vlerave te Kombit Shqiptar në Botë” u nderua me mirënjohje nga Ambasada e R. së Shqipërisë në Zvicër. Në vitin 2019, u caktua koordinator nga Ambasada Shqiptare në Zvicër, për organizimin e Shkollave Shqipe.

Falë përkushtimit dhe angazhimit të tij, në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bernë, Vaxhid Sejdiu me punë vetëmohuese ka mundësuar që vetëm gjatë 3-4 viteve të fundit të hapë dyert për mësimin e gjuhës shqipe në dhjetëra e dhjetëra shkolla në mbarë Zvicrën.

Ka arritur të botoj një numër të konsiderueshëm të poezive dhe shkrimeve publicistike në periodikun e kohës. Është bashkautor i librave “Kumanova për flamur” dhe “Shqiptarët në rajonin e Sarganserlandit”.

Kurse në vitin 2021 ka botuar librin “Shkolla shqipe në Kantonin e St. Gallenit, vatër e bashkimit kombëtar”.

Vaxhid Sejdiu është model i profesionistit të dedikuar në misionin e tij fisnik, ku përmes gjuhës shqipe frymëzon brezat e ardhshëm me ndjenjat e përkatësisë duke i transmetuar traditën, kulturën dhe historinë e popullit shqiptar, si pjesë e identitetit të tyre.